Secondary Adv

Prezantohet Pasqyra e Çmimeve, 212 produkte me çmime fikse deri në janar 2027

Qeveria ka prezantuar platformën “Pasqyra e Çmimeve” dhe nismën “Kurse”, të cilat synojnë rritjen e transparencës në treg dhe krijimin e mundësisë që qytetarët të krahasojnë çmimet e produkteve ushqimore në rrjetet e supermarketeve.

Platforma përfshin aktualisht 238 produkte në pesë rrjete tregtare, ndërsa marrëveshja me supermarketet parashikon mbajtjen e çmimeve të një sërë artikujsh në nivele të përcaktuara deri më 12 janar 2027.


Në platformë janë publikuar çmimet e 238 produkteve që tregtohen në pesë rrjete supermarketesh: Big Market, Conad, Extramarket, Spar dhe Xhangolli. Në total, sistemi përfshin 155 dyqane në vend, nga të cilat 109 ndodhen në Tiranë.


Produktet janë organizuar në kategori të ndryshme, duke përfshirë ushqimet bazë, mishin dhe vezët, bulmetin, pulën, produktet dhe nënproduktet e mishit, frutat, perimet dhe artikuj të tjerë të konsumit të përditshëm.


Platforma u mundëson qytetarëve të krahasojnë çmimet e produkteve, duke i renditur ato nga më i ulëti te më i larti. Përdoruesit mund të shohin gjithashtu qytetin dhe dyqanin ku ofrohet secili produkt, si dhe të llogarisin kursimin në lekë krahasuar me çmimin fillestar.


Në rastet kur një çmim nuk gjendet në sistem ose informacioni i publikuar përmban pasaktësi, qytetarët do të kenë mundësi të raportojnë problematikën, në mënyrë që të kryhet verifikimi dhe përditësimi i të dhënave.


Ibrahimaj: Çmimet duhet të jenë reale, tregtarët mbajnë përgjegjësi ligjore

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, bëri të ditur se platforma është e aksesueshme online për qytetarët në të gjithë Shqipërinë.


Sipas saj, në një fazë të mëvonshme pritet të vihet në dispozicion edhe një aplikacion, i cili do ta bëjë më të lehtë përdorimin e shërbimit dhe krahasimin e çmimeve nga konsumatorët.


Nisma synon t'u japë qytetarëve informacion më të plotë mbi çmimet dhe ofertat në treg, duke i ndihmuar të identifikojnë dyqanet ku produktet e nevojshme mund të blihen me kosto më të ulët.


Ibrahimaj theksoi se çmimet e publikuara në platformë duhet të pasqyrojnë vlerat reale të produkteve në pikat e shitjes dhe se saktësia e informacionit përbën përgjegjësi ligjore për subjektet tregtare.


Në rast të konstatimit të shkeljeve, institucionet përgjegjëse do të ndjekin procedurat përkatëse, ndërsa shkeljet e legjislacionit për mbrojtjen e konsumatorit mund të ndëshkohen me gjoba.


Rama: Marrëveshje me pesë rrjete supermarketesh për çmime të arsyeshme deri më 12 janar 2027

Kryeministri Edi Rama e cilësoi prezantimin e platformës si realizimin e një objektivi të arritur përmes bashkëpunimit me pesë rrjetet e supermarketeve pjesëmarrëse.


Ai theksoi se rritja e kostove në tregjet ndërkombëtare ka krijuar nevojën për mekanizma që synojnë mbrojtjen e konsumatorëve, veçanërisht të qytetarëve me mundësi më të kufizuara ekonomike.


Sipas kryeministrit, marrëveshja me pesë subjektet kryesore të tregtisë ushqimore në vend ka mundësuar publikimin e çmimeve të një sërë produktesh, të cilat do të mbahen në nivele të arsyeshme deri më 12 janar 2027.


“Më vjen mirë që këtë objektiv të parë e realizuam me mirëkuptimin që gjetëm. Sot është një kohë kur duhet parë përtej fitimit ditor dhe respektit ndaj konsumatorit”, u shpreh Rama.


Kryeministri nënvizoi se rritja e kostove në tregjet e huaja kërkon një qasje që shkon përtej marrëdhënies tradicionale ndërmjet shitësit dhe blerësit, me qëllim gjetjen e zgjidhjeve edhe për konsumatorët me të ardhura më të ulëta.


Ai theksoi se bashkëpunimi me pesë subjektet e rëndësishme të tregtisë ushqimore ka bërë të mundur krijimin e platformës dhe arritjen e marrëveshjes për mbajtjen e çmimeve të një sërë artikujsh në nivele të arsyeshme deri në janar të vitit të ardhshëm.


Rama shtoi se nisma të ngjashme janë ndërmarrë edhe në vende të tjera dhe se spekulimi me çmimet, në rastet kur përbën shkelje të ligjit, mund të shoqërohet me masa ndëshkuese, përfshirë gjobat e parashikuara nga legjislacioni në fuqi.


Synohet zgjerimi i platformës në 1,000 produkte deri në fund të vitit

Një nga objektivat e shpallura gjatë prezantimit është zgjerimi i numrit të produkteve të përfshira në platformë.


Sipas kryeministrit Rama, synimi është që deri në fund të vitit 2026, numri i artikujve të pasqyruar të arrijë në 1,000, duke u ofruar qytetarëve mundësi më të gjera për krahasimin e çmimeve.


Informacioni do të përditësohet nga vetë subjektet tregtare, në mënyrë që konsumatorët të kenë mundësi të informohen në kohë reale mbi çmimet dhe ofertat përpara se të kryejnë blerjet.


Përfaqësues të rrjeteve të supermarketeve Spar dhe Conad vlerësuan rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve publike dhe sektorit privat, duke theksuar se një qasje e tillë mund të kontribuojë në rritjen e transparencës në treg.


Platforma “Pasqyra e Çmimeve” synon të krijojë një burim të përbashkët informacioni për konsumatorët, duke lehtësuar krahasimin e çmimeve ndërmjet supermarketeve dhe duke nxitur konkurrencën në tregtinë e produkteve ushqimore.


Kliko ketu per te aksesuar platformen



Burimi: Monitor


Më të lexuarat